dante aligeri

 

Dante Alighieri (sq. Dante Aligieri; Firence, 1 qershor 1265 - Ravenna , 14 shtator 1321), ka qënë një poet, shkrimtar, politikan fiorentin, italian. Mendohet si poeti i parë më i madh italian, për këtë arsye u emërtua poet kulmor. Pati një jetë shumë të mundimshme e vdiq kur gjendej në ekzil nga qyteti i tij i lindjes. Dante është autori i Komedisë Hyjnore (Divina Commedia), e cila merret si kryevepër, si antonomasi e letërsisë të të gjitha kohrave. Dante Aligieri jetoi në pragun e Rilindjes Evropiane, e cila lindi titanë të vërtetë për nga forca e mendimit dhe e pasionit, për karakterin dhe diturinë e shumanshme. “Perëndimi i Mesjetës feudale dhe afrimi i epokës së sotme”, u shënua nga një figurë vigane. Ky është italiani Dante, më i madhi poet i Italisë, një nga figurat më gjeniale të letërsisë botërore, poet i fundit i Mesjetës dhe njëkohësisht poeti i parë i kohës së Re. Biografët thonë se jo vetëm letrarët dhe njerëzit e kulturuar, por dhe njerëzit e thjeshtë lexonin dhe mësonin përmendësh pjesë nga Komedia.

Si personalitet krijues, me ndjenja të zhvilluara atdhetare, Danteja udhëhiqej nga besimi se poezia duhet t'i shërbente popullit, të ishte pasqyrim i ngjarjeve politike dhe në funksion të ndërtimit të një shoqërie më të përparuar. Sipas Dantes, njeriu duhej të çlirohej nga kufizimet fetare dhe të synonte drejt shprehjes së lirë të mendimeve dhe të ndjenjave të tij, si dhe drejt zgjimit të vetëdijës qytetare e politike. Vetëm kështu do të mund të zotëronte, sipas tij, humanizëm dhe demokratizim në marrëdhëniet më njerëzit e tjerë. Pjesëmarrja aktive në jetën shoqërore e politike të Firencës i siguroi Dantes karrierë të shpejtë e të ndritshme, por ndoshta edhe goditjen më të madhe e më të dhimbshme të jetës së tij.

rruga krijuese

Shumica e quan Danten poetin më të madh italian të të gjitha kohërave, por ai ishte, po ashtu, dhe një shkrimtar i shquar në prozë, mendimtar aktiv politik, filozof moralist e teoricien letrar. Filloi të krijonte qysh në moshën 15 vjeçe. Si vazhdues i trubadurëve provansalë, që i këndonin “madonës” (vashës) e dashurisë kalorsiake dhe i ndikuar nga krijuesit e shkollës poetike të “stilit të ri të ëmbël”, e veçanërisht nga bolonjezi Guido Guiniçeli, Danteja krijoi një lirikë të hollë, reale, të thellë e të çiltër, ku dashuria tokësore e qiellore shkrihen e behën një. Më 1294 ose '95 shkruan në gjuhën popullore veprën “Jeta e re” (Vita nuova), historinë e dahsurisë së tij me Beatriçen, të parin tregim autobiografik në histroinë e letërsisë së Evropës Perëndimore.

“Rimat” (Rime) janë një përmbledhje sonetesh, baladash e këngësh, që i kushtohen Beatriçes dhe mikut të tij Guido Kavalkanti. Janë shkruar në gjuhën popullore sipas “stilit të ri të ëmbël”. Në vitet 1306-1308, duke luftuar për krijimin e një gjuhe të përbashkët për popullin italian, shkroi traktatin “Mbi gjuhën popullore”, të parin traktat gjuhësor në Evropë. Në të ai flet për origjinën e gjuhëve, sidomos romane, dhe ndalet në 14 dialektet e gjuhës italiane. Ai synon krijimin e një gjuhe që të jetë po aq e përsosur sa latinishtja, që të matet pa frikë me frëngjishten dhe gjuhën provansale. Vepra mbeti e përkryer plotësisht. Këto vepra të tjera janë mjaft të rëndësishme, po ajo që i dha atij lavdinë e përjetshme është kryevepra me titull: “Komedia Hyjnore” (La divina Commedia).

 

komedia hynore

Dantja dhe Komedia Hyjnore.Kjo vepër monumentale është shkruar në një periudhë tetëvjeçare (1313-1321). Danteja e titulloi veprën Komedi, sipas poetikës antike, duke dashur të përcaktojë gjininë e veprës: komedia është një vepër që përfaqëson një rrëfim me përfundim fatlum, e kundërta e tragjedisë. Në realitet dhe Komedia e Dantes përfundon fatmirësisht, meqenëse protagonisti e takon Zotin. Më vonë, me sugjerimin e Xhovani Bokaçios, kësaj vepre iu shtua atributi Hyjnor, që të lartësohej më fuqishëm madhështia dhe bukuria e saj. Te “Komedia Hyjnore” Danteja shfryu të gjitha pasionet e tij, sulmoi ashpër armiqtë, u sul kundër tiranive dhe korrupsionit të selisë papnore, kundër veseve njerëzore, u tregoi bashkëkohësve të vet se si duhej ndrequr njerëzimi. Vepra paraqet një alegori epike trekëngëshe të shpirtit njerëzor dhe një përmendore, në të cilën me fantazinë e tij të mrekullueshme si arkitekt gjenial ai ngriti ndërtesën e mbretërisë së botës së përtejme.

Me fjalë të tjera është një përshkrim i udhëtimit fantastik të Dantes nëpër tri mbretëritë e përjetshme: Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës. Gjatë këtij udhëtimi përfytyror, që zgjati vetëm 24 orë, Danteja provoi të përshkruajë gjendjen e shpirtit të njeriut pas vdekjes. Shtegtimet nëpër rrugë të llahtarshme, me plot vajtime, dhimbje, pendime, dyshime e gëzime, përfshijnë një botë me njerëz të të gjitha kohërave dhe të të gjitha shtresave.

 

udhëtimi imagjinar

Në moshën 35 vjeçare, në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1300, poeti humb në një pyll të errët. Aty shfaqet hija e Virgjilit, e poetit të madh latin, dërguar prej qiellit nga Beatriçja; ai e shpëtoi nëpërmjet një shtegu ku s'kalonte këmba e njeriut të gjallë. Të dy poetët, Danteja dhe Virgjili, zbresin në ferr, ku në 9 rrathë dënohen mëkatarët. Fajet në ferr Dantja i ndan sipas teorisë së Aristotelit, ku njeriu mëkaton nga shfrenimi (grykësia, koprracia etj), që për poetin janë më të lehta; pastaj nga shpirtligësia (dhuna, tradhtia), për të cilat poeti i jep dënimet më të rënda. Këtu i shohim të gjithë mëkatarët si e vuajnë dënimin e tyre.

Pas udhëtimeve të tmerrshme nëpër ferr, të dy poetët i ngjiten malit të purgatorit. Purgatori ka 7 rrathë, ku bëhet pastrimi i shpirtit përmes vuajtjeve të pendesës. Aty Dantja i ndan fajet sipas teorisë së Platonit, ku siç thotë ai, njeriu mëkaton nga çrregullimet e dashurisë me tepëri (mendjemadhësia, ku njeriu e do së tepërmi vetveten; smira, kur i do të keqen tjetrit; zemërimi, kur do të hakmerret etj); kur dashuron me pasion të tepruar (koprracia, kur njeriu do pasurinë apo shpenzimet e tepërta; grykësia, kur njeriu do më shumë se sa duhet gojën e vet; epshet e tyre etj,).